”I treturi”, filmi më i ri nga regjisori Arben Thaçi! Publikohen fotografitë e para të filmit

Publikohen fotografitë e para nga filmi artistik i metrazhit të gjatë “I treturi” i regjisorit Arben Thaçi. Skenari i filmit që është shkruar nga vet regjisori ka marrë motiv nga romani i Abdylazis Islamit “Të Treturit e Projanës”.

Filmi është një dramë psikologjike me elemente të luftës që përfshin periudhën e fundit të luftës së dytë botërore. Protagonisti i filmit i luajtur nga aktori Sotiraq Bratko, duke shkruar kujtimet e tij, përpiqet të na zbulojë diçka nga e kaluara e tij e mjegullt, diçka që e fsheh nga njerëzit, gruaja e tij (Eva Alikaj) madje edhe nga vetvetja. Ajo që na zbulon është plot faj, pendim e tmerr që nuk e kanë lënë të qetë për aq kohë sa është izoluar nga bota e njerëzit.

“I treturi” është prodhim kinematografik i produksionit Arbfilm, i financuar nga Agjencioni i Filmit i Maqedonisë së Veriut, ndërkaq si bashkëprodhues minoritar është përfshirë Qendra Kinematografike e Kosovës përmes Ikone Studio me producentët: Valon Bajgora, Yll Uka dhe Agon Uka, si dhe Qendra Kinematografike Kombëtare e Shqipërisë përmes produksionit B&G Film Pro me producent Besnik Bisha.

 

Kasti i aktorëve përfshin emra të njohur nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria si: Sotiraq Bratko, Eva Alikaj, Kejdi Ademi, Sokol Monallari, Afrim Muçaj, Sheqerije Buçaj, Selman Lokaj, Blerim Ismani, Arsim Fazlia, Selman Jusufi, Adem Karaga, Refet Abazi, Neritan Liçaj, Enis Murati, etj.

Drejtor fotografie është Vlatko Samoilovski, Bilgaip Koçishta në funksion të skenografit, kostumet janë dizajnuar dhe përgatitur nga Albulena Borovci dhe muzika është komponuar nga Trimor Dhomi.

Traileri i filmit do të promovet të shtunën me 28 Nëtor 2020 në TV dhe në mediat sociale.