Jeta do të mund t’i kthehet normalitet gjatë dimrit të ardhshëm, pretendon krijuesi i vaksinës së BioNTech

Ndikimi i një vaksine të re kundër COVID-19 do të godasë ndjeshëm gjatë stinës së verës, derisa jeta duhet të kthehet në normalitet deri në dimrin e ardhshëm, ka thënë një nga krijuesit e saj.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, profesori Ugur Sahin, bashkëthemeluesi i BioNTech, tha se ky dimër do të jetë i vështirë pasi vaksina nuk do të kishte një ndikim të madh në numrin e infeksioneve.

Javën e kaluar, BioNTech dhe bashkë-zhvilluesit e Pfizer thanë se analiza paraparake tregoi se vaksina e tyre rezultoi 90 për qind efektive.

Bëhet e ditur se tek faza e tretë dhe e gjerë e testimit morën pjesë rreth 43 mijë njerëz.

Sahin në një intervistë për BBC, tha se ishte i bindur që vaksina do të zvogëlojë transmetimin e virusit midis njerëzve si dhe do të ndalojë zhvillimin e simptomave tek dikush që u injektua.

Sipas tij vaksina do të arrijë të përgjysmojë transmetimin, gjë që do të reflektonte me një ndikim të madh.

“Unë jam shumë i sigurt se transmetimi midis njerëzve do të zvogëlohet nga një vaksinë e efektshme ndoshta jo 90 për qind por 50 për qind – por nuk do të harrojmë se edhe kjo do të mund të rezultojë në një ulje dramatike të përhapjes pandemike”, u shpreh ai.

Pavarësisht deklaratës së një eksperti britanik ku thoshte se jeta do t’i kthehej normalitet në pranverë, Sahin tha se kjo do të mund të ndodhte më vonë.

Nëse gjithçka shkon mirë, ai tha se vaksina do të shpërndahej në fund të këtij viti dhe në fillim të vitit të ardhshëm.

Sipas tij qëllimi i tyre mbetet që deri në muajin prill të shpërndahen më shumë se 300 milionë doza të vaksinës, gjë që atëherë do të fillonte ndikimi.

“Stina e verës do të na ndihmojë pasi atëherë shkalla e infeksionit do të ulet.Është thelbësore që të kryhet norma e gjerë e vaksinimit deri në stinën e vjeshtës dhe të dimrit”, u shpreh ai.