Kurti: Jemi të interesuar për datë sa më të hershme për mbajtjen e zgjedhjeve, vendi duhet nxjerr nga kriza e shumëfishtë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani tha se kanë biseduar lidhur me zgjedhjet e parakohshme në vend, ndërsa tha se si subjekt politik janë të interesuar për një datë sa më të hershme.

Kurti tha se është humbur shumë kohë dhe duhet një qeveri e re dhe kompetente që e nxjerr Kosovën nga kriza e shumëfishtë.

“Ky ishte një këshillim paraprak dhe ne shprehëm interesim tonë si subjekt politik që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të parakohshme të kemi një datë që në harkun kohor të jetë sa më e hershme… Ta marrim njëherë aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe varet nga data kur na vie ai aktgjykim i plotë si palë që jemi në këtë çështje…”, tha Kurti, raporton Telegrafi.

Ai tha se nuk kanë folur për datë konkrete, por vetëm kanë shprehur interesim për një datë sa më të hershme.

“Kemi humbur shumë kohë dhe na nevojitet që të ecim sa më shpejt që duke u kthyer te populli si burim i sovranitetit të restaurojmë legjitimitetin e institucioneve dhe të kemi një qeveri të re dhe kompetente që e nxjerr Kosovën nga kriza e shumëfishtë”, u shpreh Kurti.

Ai nuk i përgjigj pyetjeve nëse do të jetë kandidat për kryeministër.

“Sa i përket hollësive që i ka përmend Gjykata Kushtetuese duhet të presim aktgjykimin e plotë që të japim qëndrimin tonë”, tha ai.

“Pa dyshim se do të jemi shumica e ardhshme, shumica e popullit që na mbështet sot do të jetë edhe  shumicë në Kuvend, mirëpo formalizimi i vendimit qoftë për kandidatin për kryeministër, qoftë për koalicione bëhet në Këshillin e përgjithshëm të LVV-së”, tha ai.

Se a do të jetë Osmani pjesë e listës së LVV-së në zgjedhje, Kurti tha se sot ka pasur takim me ushtruesen e presidentes dhe nuk kanë diskutuar çështje politike elektorale.