Nxënësit kërkojnë mësim me prezencë fizike

Mungesa e profesorëve në orë dhe rrjeti i dobët i internetit janë vetëm disa nga problemet me të cilat po përballen nxënësit e shkollave të mesme gjatë mësimit nga largësia. Këto dhe shumë mangësi të tjera Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme po i nënvizon në raportin mbi punën e shkollave që deri në fund të muajit duhet t’ia dorëzojë Ministrisë së Arsimit. Bashkë me raportin, dikasterit të Arsimit do t’i dorëzohen edhe  kërkesat për rikthim të mësimit me prezencë fizike, në formë të kombinuar. Përveç UNSHM-së, tashmë edhe nga organizata joqeveritare “Zëri i Arsimit” këmbëngulin që mësimi të rikthehet me prezencë fizike.

 “ Mësimi online vetëm se po shkakton probleme fizike dhe financiare, asociale dhe psiikike sepse të qëndrosh shtatë orë mbi celular ose laptop ësht dëm për shëndetin. Përderisa me shtetet fqinje erdhët në një ide për hapjen e kufijve pse nuk pajtoheni me shtetet fqinje edhe për arsimim dhe hapjen e shkollave, jo në mënyrë standarde arsimore por të paktën një mësim të kombinuar me respektimin e masave anti covid- deklaroi Hamza Nuhiu, kryetar i “Zëri i Arsimit”.

 Në gjimnazin “Sami Frashëri” në Kumanovë një numër i lartë i nxënësve akoma kanë mbetur pa fjalëkalime.

 “Platforma e re e krijuar po has problem të ndryshme, profesorët tanë nuk dëgjohen mirë, kemi ndërprerje të vazhdueshme të zërit, nuk ka biseda të rregullta. Poashtu kemi nxënës të cilët ende nuk janë kyçyr në platformë për arsye se hasin problem me fjalëkalimet e tyre dhe emrin e përdoruesit. Prandaj, ne si pjesëtarë të organizatës tonë kemi vetëm një lutje, të plotësohet kushti jonë i vetëm, mësim me prezencë fizike por në mënyrë të kombinuar- pohoi Lindita Ferati, “Zëri i Arsimit” dega Kumanovë.

Për shkak të problemeve të shumta me mësimin online, nga “Zëri i Arsimit” paralajmëruan protesta për më 31 tetor.