Rikthimi i AC/DC-së

Basisti u largua, këngëtari humbi dëgjimin, bateristi ishte në arrest shtëpie dhe anëtari themelues, Malcolm Young, vdiq nga demenca. Por, AC/DC… janë rikthyer. Pjesë të shkrimit të gazetarit Michael Hann, të publikuar në ditoren Guardian, Telegrafi sjell më poshtë.

Në fund të koncertit të AC/DC-së, Angus Young e ka një rutinë. Pas disa orëve me lëvizje të përhershme, me veshjen e tij shkollore, ai shkon drejt dushit dhe, më pas, meqë nuk ka qenë në gjendje të hajë që nga mesdita – nuk mund të bësh koncert të AC/DC-së me stomakun e plotë – kërkon ushqim. “Gjëja e parë që futet në kokën time është: Po vdes nga uria.”

Kur u largua nga skena e Qendrës “Wells Fargo” në Filadelfia, më 20 shtator 2016 – natën e fundit të turneut “Rock or Bust” – mbase atë rutinë e ka kaluar për herën të fundit në historinë e atëhershme 43-vjeçare të grupit. 23 koncertet e fundit ishin përfunduar me Axl Rose-in si këngëtar (duhet thënë, në mënyrë të shkëlqyeshme), pasi problemet e dëgjimit e kishin detyruar këngëtarin Brian Johnson të tërhiqej nga rrugëtimi. Thjesht, nuk mund ta gjente tonaliltetin dhe çdo koncert ia bënte më të dobët dëgjimin. Atë verë, basisti Cliff Williams kishte thënë se edhe ai do të largohej nga grupi. Bateristi Phil Rudd nuk ia doli të jetë në turne, pasi u përfshi në atë që Young e kishte quajtur “punë kastraveci”: u akuzua nga një gjykatë e Zelandës së Re për tentim-vrasje të ndihmësit të tij personal, plus për posedimin e metamfetaminës dhe kanabisit. Vëllai i Angus-it, Malcolm-i – de facto udhëheqësi i grupit – ishte larguar tashmë, për shkak të çmendurisë, për t’u zëvendësuar nga nipi i tyre Stevie. Pak më shumë se një vit pas koncertit final, Malcolm-i vdesë.

Pra, kur në shtator 2018 dolën fotot e AC/DC-së – përfshirë Johnson-in, Williams-in dhe Rudd-in – në një studio në Vankuver, kjo dukej si mrekulli. Johnson-i, dëgjimi i të cilit është më i mirë falë asaj që ai i quan “veshët protezë”, pajtohet me këtë. “Thjesht e tregon aftësitë ripërtëritëse dhe lidhjen që ekziston mes nesh. Hymë në studio dhe ju mund ta ndjenit elektricitetin në ajër. Dhe, sigurisht, Malcolm-i ishte atje. Ishte atje me një frymë aq të fortë, saqë ishte i dukshëm. Mendoj se të gjithë mund ta ndiejmë atë”.

Kur Williams u pyet nëse kishte pritur të ndodhte kjo, përgjigjja e tij është: “Jo”, dhe shpërthen në të qeshura. Por, Young – që nga largimi i Malcolm-i është mbreti i padiskutueshëm i grupit – thotë se gjithmonë kishte menduar se historia e tyre nuk ka përfunduar. “Kuptova, në një moment, se kompania e regjistrimeve ose dikush do të më thoshte: ‘A mendon se mund të bësh diçka?’ ‘Kështu që e kisha këtë në pjesën e pasme të kokës”.

Por, ja ku jemi me “Power Up”-in, studio-albumin e 17-të që është pak më i mirë sesa dikush mund të mendojë. Do të ishte e paarsyeshme të prisnim një “Powerage” tjetër, “Highway to Hell” ose “Back in Black” në këtë pikë, por “Power Up” është vërtetë album i mirë, shumë më i mirë se disa të fundit. Ka edhe befasi: “Through the Mists of Time”…

“Kam mornica kur e dëgjoj këtë këngë”, thotë Johnson. “Mund ta dëgjoj Malcolm-in përmes asaj kënge. Është një kthim në ditët kur rokënroli ishte shumë argëtues e ne ishim më të rinj dhe dukej sikur asgjë nuk do të mbaronte dhe se gjithmonë do të ishte jeta si në fillim të viteve 1980… Ndaj, kur e dëgjoj, është pothuajse si udhëtimi në kohë”.

Origjina e albumit “Power Up” daton që nga vitet e para të këtij shekulli. Pas përfundimit të turneut “Stiff Upper Lip”, më 2001, grupi kishte pushuar për shtatë vjet, por Angus-i dhe Malcolm-i vendosën të punojnë për të shkruar jo vetëm këngë të tëra. Young thotë se kaluan pesë vjet në studio duke grumbulluar materiale për albumin “Black Ice” të vitit 2008..

A ishte diagnostikuar Malcolm-i me demencë? A po grumbullonin materiale kundër ditës kur ai nuk do të ishte më në gjendje të shkruante?

“Kishte momente të çuditshme gjatë asaj kohe… mund të shihnit se diçka nuk ishte në rregull. Por, ende e mbante veten mirë”, thotë Young. “Kështu që, për këtë album isha i vendosur të përdorja disa nga idetë për të cilat ai kishte bërë shumë përpjekje”.

Young thotë se shkoi në studio për të bërë “Power Up”-in me këngët – të gjitha nga Young dhe Young – edhe pse Williams-i ka një kujtim pak më ndryshe: “Ang dhe Mal kishin një mal me ide për rifet dhe gjërat që Angus i nxirrte. I identifikoi 12 prej tyre dhe ne i përpunuam në studio”.

Johnson shton: “Kur ishim në studio dhe po provoja të këndoja disa rreshta, thjesht më ndizej diçka në mendje: ‘A e dëshironte kështu Malcolm-i këtë këngë?’ Ishte karakter i fortë. E meritonte respektin pa u munduar për të. Dhe, edhe pse nuk është më me ne, është ende atje”.